Urdhëri i Farmacistëve të Shqipërisë reagoi sonte pas humbjes së koleges së tyre Pamela Mërtiri. “Ti dhe engjëlli yt u prehshi në paqen e përjetshme!” shkruhet në profilin e kësaj shoqate. Sipas UFSH ndarja nga jeta e koleges është një humbje e madhe jo vetëm për familjarët por dhe për të gjithë miqtë, kolegët dhe ata që e njohën dhe patën fatin të punonin me të.
Postimi i Urdhërit të Farmacistëve”
Të nderuar kolegë,
Komuniteti i farmacistëve dhe mbarë opinion publik u trondit sot nga ndarja nga jeta në mënyrë tragjike e koleges sonë Pamela Mërtiri dhe djalit të saj.
Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve, miqëve, kolegëve dhe gjithë të dashurve të tyre, për këtë ikje të parakohshme.
Kush ishte Pamela Mërtiri, për të gjithë ata që nuk patën fatin ta njihnin.
Pamela lindi më 30.03.1987 në qytetin e Vlorës. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ndoqi studimet e larta, dega Farmaci, pranë Universitetit Kristal, ku u diplomua në vitin 2011. Pamela jetonte dhe ushtronte profesionin e farmacistes në qytetin e Tiranës. Prej vitit 2014 ajo drejtonte subjektin e saj farmaceutik, farmacinë Mela Pharma në qytetin e Tiranës.
Ndarja nga jeta e koleges tonë është një humbje e madhe jo vetëm për familjarët por dhe për të gjithë miqtë, kolegët dhe ata që e njohën dhe patën fatin të punonin me të.
Lamtumirë kolege!
Ti dhe engjëlli yt u prehshi në paqen e përjetshme!