Hetuesia bullgare ka dalë me vlerësimet e para lidhur me aksidentin me autobusin maqedonas në Bullgari, më 23 nëntor, ku humbën 45 shtetas të Maqedonisë të Veriut.
Drejtori i Shërbimit Kombëtar Hetimor dhe zëvendëskryeprokurori i Bullgarisë, Borislav Sarafov, ka deklaruar për televizionin kombëtar bullgar, BNT-së, se shoferi i autobusit po udhëtonte me shpejtësi të papërshtatshme, që mund të ishte edhe shkak për aksidentin tragjik.
“Shpejtësia ishte mjaft e papërshtatshme. Autobusi lëvizte me shpejtësi mbi 90 kilometra në orë. Kërkesat për një shofer profesionist të autobusit janë më të larta se për çdo shofer tjetër. Prandaj është dashur që shpejtësia të jetë e përshtatshme me kushtet, pavarësisht sinjalistikës rrugore”, ka deklaruar Sarafov.
Autoritetet bullgare presin që ekspertiza të përcaktojë se si u dogj autobusi brenda pak minutash.
Sarafov tha se pret që ekspertizat për aksidentin të jenë gati deri më 25 dhjetor dhe më pas do të dilet me raportin për shkaqet e aksidentit.
