Një efektiv policie, inspektor në komisariatin numër 1 në kryeqytet, është arrestuar për dhunë në familje.
54-vjeçari u denoncua nga bashkëshortja dhe dy fëmijët, se në periudha të ndryshme, për disa vite me radhë, janë dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga kryefamiljari. Madje, në disa raste i ka kërcënuar edhe me armën e shërbimit.
E ndërsa duhet të jenë garantuesit e ligjit, shumë efektivë policie dyshohet të jenë të përfshirë në veprimtari të ndryshme kriminale.
Inspektori 54-vjeçar nuk është i vetmi. Sipas statistikave jo-zyrtare, rreth 250 oficerë në të gjithë vendin janë nën hetim për vepra të ndryshme penale. Ata po hetohen nga Prokuroria dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.
60 prej tyre janë nivel drejtues dhe akuzohen për favorizim të kultivimit të kanabisit.
Dy javë më parë, agjenti i krimeve në Policinë e Dibrës, Arbër Sula, me armën e shërbimit vrau 29-vjeçarin Jurgen Duka, pas sherrit se kush do të paguante i pari në market. Efektivi vijon të jetë ende në kërkim.
Dy ditë më parë, dy efektivë në Tiranë u pezulluan nga detyra, pasi u vunë nën hetim për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Efektivi i Rrugores ndryshonte përgjegjësitë e palëve në rast hetimi aksidentesh. Ndërsa kolegia e tij, informonte vjehrrën e oficerit të Rrugores për aksionet policore, pasi në lokalin e 53-vjeçares në Memaliaj ushtrohej prostitucion.
