Duket se do të ketë një person ndaj të cilit do vihet gishti për publikimin e databazës me të dhënat e pagave të punonjësve shqiptarë.
Hetimi është mbyllur me fazën e pyetjes së specialistëve dhe shefave të IT në dy institucionet, Tatime dhe ISKSH.
Njësia “C”, e specializuar për krimet kibernetike, dhe Prokuroria e Tiranës, tashmë kanë administruar dhe kallëzimin penal të Ministrisë së Financave. Ndërsa gjatë kësaj faze, është arritur të ngrihen dyshime të forta mbi një specialist IT.
Punonjësi, emri i të cilit nuk bëhet publik për arsye hetimi, rezulton të ketë hyrë gjatë periudhës janar-prill 2021 e në vijim, në serverin ku mbahen të dhënat e pagesave mujore të punonjësve shqiptarë dhe të huaj. Ky punonjës është mes 10 zyrtarëve të IT-së, që janë marrë në pyetje për këtë çështje.
Hyrja e tij në serverin ku mbahen të dhënat e rrogave mujore është faktuar, por nuk është pranuar nga ana e tij se është ai personi që ka kopjuar informacionin.
Deri në këtë fazë të hetimit, njësia policore “C” dhe Prokuroria e Tiranës kanë arritur të faktojnë futjen në server të këtij specialisti IT në mënyrë të paautorizuar.
Sipas rregullores së Tatimeve, çdo punonjës IT duhet të futet me “username” në serverin e rrogave, duke pasur një autorizim të posaçëm me e-mail apo qoftë dhe me dokument shkresor.
Njëherësh dhe me autorizimin jepet dhe arsyeja dhe qëllimi i futjes në sistemin e pagave mujore.
Specialisti i IT ka hyrë në mënyrë të paautorizuar prej shefave të tij dhe, për pasojë, ai dyshohet se ka kryer kopjimin e 637 mijë pagesave të qytetarëve shqiptarë dhe të huaj.
Në total, deri në këtë fazë të hetimit janë marrë në pyetje 10 persona, ndërsa çështjes i është bashkangjitur dhe kallëzimi penal i Ministrisë së Financave dhe disa qytetarë të tjerë.
Nga veprimet e kryera deri në këtë moment rezulton se “username” për të pasur akses hyrje në servera, ku mbahen të dhënat e pagesave mujore, e kanë pasur shumë persona.
Por këta individë nuk kishin mundësi teknike për të kryer marrjen e dhënave në formatin e publikuar, pasi është marrë databaza qendrore, ku janë numrat e ID, pozicioni i punës, kompania etj. Në ditët në vazhdim pritet të mësohet edhe emri i të dyshuarit.
