Megjithëse viti 2021 ishte i vështirë për shkak të pandemisë, rindërtimit nga tërmeti dhe çështje të tjera që lidhen me ekonominë kombëtare, në Bashkinë e Matit kanë nisur dhe janë realizuar investime të rëndësishme, me interes për jetën e qytetarëve.
Kudo, në çdo pjesë të territorit, është treguar vëmendje nga ana e kryebashkiakut Agron Malaj dhe administratës lokale. Ashtu siç është përmendur në çdo takim politik ose jo, kryefjala e premtimeve kanë qenë rrugët, uji i pijshëm dhe vaditës. Në se problemi i furnizimit me energji elektrike është drejt zgjidhjes për çdo lagje e fshat, tani është në rrugë të mbarë furnizimi me ujë të pijshëm i banorëve të Matit. Po investohet në dy vepra mjaft të rëndësishme, në Ujësjellësin e Zallë Gjoçajve, vepër e cila do të furnizojë me ujë të pijshëm banorët e 18 fshatrave të Derjanit, Rukajve, Macukullit si dhe një sasi uji do t’i bashkohet ujësjellësit të Burrelit. E kanë vuajtur ndër shekuj mungesën e ujit banorët e zonave të thella. Madje ky mendohet të jetë një nga shkaqet e migrimit dhe emigrimit të banorëve të këtushëm drejt kryeqytetit, qyteteve të tjera dhe jashtë vendit. U hartuan projekte fushatë pas fushate. E premtuan këtë investim jetësor shumë deputetë, kryetarë komunash e zyrtar të ndryshëm. Por vetëm këtë vit, falë kujdesit të veçantë të kryetarit të Bashkisë Mat Agron Malaj nisi një investim kaq serioz, kaq i kushtueshëm, kaq i domosdoshëm. Dalëngadalë po thyhet mosbesimi dhe vepra po merr jetë. Në disa fshatra janë ndërtuar depot e ujit dhe në të tjerë janë vendosur tubacionet nga do të kalojë uji i alpeve tona. Drejtuesit vendor tani po bëjnë kujdes që investimi të kryhet me cilësi të lartë dhe brenda afateve që janë përcaktuar në kontratë.
Edhe në qytetin e Burrelit, në çdo lagje, pallat e banesë po punohet për rehabilitimin dhe ndërtimin e rrjetit shpërndarës. Firma ndërtuese po monton tubacionet kryesore në rrugët e qytetit dhe ato shpërndarëse në çdo ndërtesë. Vendorët synojnë që Burreli të mos vuajë furnizimin me ujë. Po lobohet fort që krahas këtij investimi të madh në qytet, të ndërtohet një linjë e re nga depoja kryesore e Lisit deri në Burrel, për të ndalur ndërhyrjet në rrjetin kryesor. Kryetari i Bashkisë Agron Malaj është shprehur në takimet me qytetarët se për pak kohë ndoshta në qytet do të ketë baltë dhe inerte, por firma ndërtuese do të rindërhyjë në të gjitha akset rrugore për ri-asfaltimin e tyre. Me interes është pritur nga qytetarët e disa fshatrave edhe ndërhyrje në çezmat publike. Në dukje janë investime të vogla por për qytetarët ato janë të rëndësishme. Edhe vitin e ardhshëm do të ndërtohen e rehabilitohen çezma të tjera. Në Lagjen e Re Burrel është ndërtuar me parametra rrjeti i kanalizimeve të ujrave të zeza, një premtim ky i kahershëm. Projekte të tjera infrastrukturore do të realizohen në këtë lagje të lënë pas dore padrejtësisht. Për pastrimin e qytetit vëmendja ka qenë e shtuar.
Pas “izolimit” të mbetjeve në vendgrumbullimin e tyre dhe shtimin e kontinierëve në qytet dhe disa zona bashkia Mat vendosi kalimin e ndërmarrjes në vartësi të saj, duke patur si qëllim një mjedis më të pastër. Sipas kryetarit të Bashkisë Malaj do të kryhet pastrimi nga ndërmarrja në tetë njësitë administrative të Matit. Janë mbyllur 30 hot spote dhe çdo fundjavë e gjithë administrata lokale është angazhuar në pastrimin e mjedisit. Shtimi i sipërfaqeve të gjelbëra ka qenë dhe mbetet prioritet i bashkisë. Numri i pemëve dekorative nuk është shtuar vetëm në Lulishten “Nëna Mbretëreshë”, por pemë janë mbjellë edhe në lagjet e qytetit dhe rrugët hyrëse e dalëse të qytetit Burrelit, duke krijuar një pamje mbreslënëse. Krahas ndriçimit në disa rrugë jashtë qytetit është mundësuar ndriçimi, gjë që nuk kishte ndodhur më parë.
Vitin e fundit sheshi “Kastriotët”, para godinës së Bashkisë Mat dhe lulishtja “Geraldinë” morën tjetër pamje, të veçantë, falë investimit të kryer nga bashkia. Jo vetëm pamja është mahnitëse, por aktualisht ngjan me qytetet europiane, me pllaka prej mermeri, stola, trotuare, pllaka prej guri autokton, etj.
Për herë të parë, pas 30 vitesh, në qytetin e Burrelit nisi ndërtimi i pallateve për familjet e pastreha. Bashkia Mat loboi fort me Enton Kombëtar të Banesave dhe kjo do të mundësojë ndërtimin e 75 apartamenteve përballë ish SMT-së. Qëllimi i bashkiakëve nuk është vetëm strehimi i familjeve në nevojë, por edhe gjallërimi i periferisë së Burrelit, duke ngritur infrastrukturë të re dhe funksionale.
Pas ndërhyrjes në impiantin “Liri Ballabani” po mbyllet investimi për aneksin e këtij stadium. Fusha me tapet sintetik është drejt përfundimit. Aty do të stërviten ekipet e futbollit të të gjitha moshave dhe do të luhen ndeshjet zyrtare të të rinjëve. Sakaq në disa shkolla janë ndërtuar kalçetot dhe në të tjera do të ndërtohen gjatë vitit 2022. Pallati i Sportit “Ferit Hysa” ka tashmë “lok” të ri, është bërë funksional dhe pas shumë dekadash është investuar nga Bashkia Mat në këtë objekt të rëndësishëm. Po ashtu ngritja e një akademije futbolli është ambicja e Bashkisë Mat. Vëmendje sipas vendorëve do t’i kushtohet edhe sporteve të tjera.
Bashkia me fondet e veta ka nisur rehabilitimin e të gjitha lagjeve të qytetit. Janë shtruar rrugë, trotuare dhe sheshe. Po ashtu janë vendosur stola e janë mbjellë pemë në lagjet e qytetit. Ky kujdes do të vijojë në të gjitha lagjet e Burrelit.
Bashkia Mat ka ngritur një flotë me mjete mekanike për të mirëmbajtur 420 km rrugë rurale, të cilat kërkojnë përkujdesje të vazhdueshme. Terreni i thyer dhe agjentët atmosferikë krijojnë herë pas here probleme, rrëshqitje, gropa, cedime. Mjetet dhe forcat e punës janë treguar të gatshme sa herë banorët kanë kërkuar ndihmën e bashkisë. Në projektet e ardhshme të bashkisë është asfaltimi i disa segmenteve pasi aktualisht tri njësi nuk lidhen me asfalt, Derjani, Macukulli e Rukajt. Investim duket menduar edhe vënia në efiçencë e administratës lokale dhe vënia e saj në shërbim të qytetarëve, duke u ardhur në ndihmë në kohë reale qytetarëve në nevojë.
Hasan PASHA