Ronela Hajati fitoi Festivalin e Këngës në RTSh. Ajo do përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2022, që do të mbahet në Torino të Italisë, ndërkohë që nuk munguan kontestimet për tekstin e këngës “Sekret”, me të cilën ajo u paraqit në festival si kantautore. Shumë artistë, mes të cilëve vëllezërit e famshëm Endri dhe Stefi Prifti, aktori dhe shkrimatri nga Kosova, Çun Lajçi etj., e shigjetuan tekstin e këngës, pasi sipas tyre është thjesht një tekst banal dhe asgjë më shumë. Por në këtë shkrim do të merremi me përmbajtjen e fabulës së këngës dhe kujt ia ka dedikuar Ronela këtë këngë dashurie dhe triumfi. Duke qenë se shumë këngëtarë ia adresojnë dedikimin gjithmonë autorit të tekstit, Ronela në këtë rast s’ka ç’të thotë, pasi e ka shkruar vetë.
“Po vjen djali nga malet, Dhe tek unë sot do falet, Nuk e di a do ndalet, Hajde t’i, hajde t’i falim mëkatet, Për këtë vajzën do vije, Dhe krejt botën ta lije, Unë jam diell, nuk jam hije, Ti i je i imi, djalë prej Shqipërie, Hej, a i kujton ato net? Mbetën vetëm sekret, Baby shija jote, shijes sime. Peng i ka mbet. Hej, a i kujton ato net? Nuk janë më një sekret. Por unë nuk e di, nuk e di Si kam me u ndi”, thuhet në vargjet e këngës. Burime pranë saj kanë treguar se në fakt nuk është një tekst fantazi, pasi Ronela e ka përjetuar vërtet këtë dashuri me një djalë nga Veriu, për të cilin nuk dihen shumë detaje. Që me postimin e këngës audio në kanalin e RTSHsë në “Youtube”, filloi të përflitej se ajo do ta fitonte garën, edhe pse konkurrohej fuqishëm nga rivali i saj, Alban Ramosaj, i cili u rendit i dyti me këngën “Theje”. Ish-i dashuri i saj, Young Zerka, duke mësuar për dedikimin që ajo i ka bërë djalit sekret nga Veriu, në këngën për të cilën ka dy vjet që po punon, është hakmarrë në mënyrën e tij. Këngëtari postoi në rrjetin e tij social “Instagram” një foto të mikut të tij të vjetër Kastro Zizo, duke treguar se është ai konkurrenti që mbështeste me shpirt në Festival.
Kujtojmë që Ronela Hajati dhe Young Zerka kanë qenë çift për 5 vite, por i dhanë fund lidhjes gati 1 vit më parë, dhe ky fakt ka nevrikosur Zerkën nga Korça, pasi nuk i dalin llogaritë për lidhjen e saj të re, kur e njohur dhe kur e bëri këngën. Këngëtarja Ronela Hajati është përfolur disa herë në mediat rozë për jetën e saj private.
Ronela zgjoi kureshtjen e ndjekësve të saj në rrjetet sociale ku foli për mashkullin ideal, disa muaj pasi i dha fund lidhjes 5- vjeçare me Young Zerkën. Hajati u bë më e hapur me fansat për jetën e saj private pas ndarjes nga këngëtari, duke renditur cilësitë që duhet të kishte një mashkull që ta bënte të dashurohet me të.