Nga Laçi në një takim me demokratë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u dërgoi sërish një mesazh deputetëve të pezulluar. Teksa e ka quajtur si “shansi i fundit”, Basha tha se duhet të distancohen nga dhuna dhe se dora e tij mbetet e shtrirë.
“Distancimi nga dhuna është kushti i vetëm, pas distancimi nga dhuna dhe rikthimi te debati, te përplasjes së mendimeve pa asnjë parakusht, pa asnjë të përjashtuar, dora e imja dhe e demokratëve mbetet e shtrirë për ti rikthyer në familjen tonë politike”, deklaroi ai.
Në mesin e demokratëve, Basha pranoi gabimet e së shkuarës, ndërsa theksoi se shumë të përndjekur dhe pronarë prej vitesh nuk e votojnë PD-në, pasi nuk kanë marrë atë që meritojnë.
“Ky diferencim nuk bëhet për diversion, por për një parim të shenjtë në sy të gjithë shqiptarëve, sa vite ka që në Kurbin, Mirditë dhe Lezhë familje të vrara nga komunizmi nuk votojnë për PD. I keni pyetur pse nuk votoni? Po i filloj me ata që janë palca e PD me të përndjekurit dhe pronarët. Sa vite ka që duam të votojmë por…por çfarë, por sa shikojmë emrin e dikujt, apo kur jeni në aleancë me dikë më mirë po rrimë në shtëpi. Edhe ata që janë socialistë që e pëlqejnë programin e PD, nuk e kanë kaluar dot pragun, në sytë e tyre merr rëndësi të madhe qëndrimi që do të mbajmë ne”, tha ai ndërsa shtoi se tani janë çliruar nga hijet e së shkuarës.
Ne jemi çliruar nga hijet e të shkuarës, i kemi pranuar gabimet e të shkuarës. Jemi të vendosur të mos i përsërisim ato. Jemi të hapur, jo për fasadë, por për ti bërë pjesë të mendimit tonë”, tha Basha.
Kryedemokrati, u ndal gjithashtu te protesta e 8 janarit, duke e quajtur si ditë traumatike. “8 janari ishte një ditë traumatike, por pas reve shndërrit një diell, pas një të keqe fshihet një e mirë. E mira është që demokratë janë vetëndërgjegjësuar tani. Kush ka kaluar atë vijë të kuqe ka qenë dhe është shërbëtor i atij që kemi përballë. Askush nuk e ka kuptuar këtë më mirë se Edi Rama”, u shpreh ai.
