Ceremonia e marrjes së detyrës së Arqipeshkvit të ri të Kishës Katolike Shqiptare Arjan Dodaj, ka bërë bashkë tre figurat më të rëndësishme politike në vend. Të pranishëm janë kryeministri Edi Rama, i cili shoqërohet nga bashkëshortja Linda, Presidenti Ilir Meta dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Imzot George Frendo tha se shqiptarët dhe Shqipëria do të jenë gjithmonë në zemrën e tij, por shtoi se iu duk e drejtë që vitet e fundit të jetës së tij t’i kalojë në vendlindje.
“Gjithmonë e kam dashur Shqipërinë dhe shqiptarët dhe te ky popull kam gjetur dashuri e respekt më shumë se sa meritoja. Falënderoj popullin shqiptar që u bë edhe populli im. Do largohem nga Shqipëria me keqardhje, por mu duk e drejtë t’i kaloj vitet te fundit të jetës sime në vendlindje. Do mbeteni pjesë e zemrës sime e do ju kujtoj me lutje. Politika mund të ndryshojë e të përmirësojë strukturat, por besimi mund të arrijë atje ku nuk arrin politika, mund të ndryshojë zemrat. Le të angazhohemi më shumë për një Shqipëri më të drejtë, më të vëllazërore. I drejtohem pasardhësit tim, për më shumë se 4 vite kemi punuar ngushtë bashkë. Emri yt do të përmendet në meshë çdo ditë e kjo do të thotë se nuk do jesh vetëm në zbatimin e detyrës tënde, është një dioqezë me ty. Je shumë më i ri se unë dhe je shqiptar, që do të thotë se je më i aftë se unë për të kuptuar mentalitetin, psikologjinë e kulturën e këtij vendi. Për këto avantazhe që unë nuk i kisha, le të jenë për t’u një dhuratë që të bën shumë më afër deleve që Zoti do të të dhurojë”, tha ai.



