Nuk ka mjaftuar pandemia dhe i ftohti i pazakontë për pacientët e rrethit të Matit. Muajin e kaluar më shumë se kurrë është ndjerë mungesa e mjekëve specialistë.
Drejtori i spitalit “Xhavit Mara” Burrel Roland Meta u shpreh i shqetësuar për mungesën e mjekut anestezist, kardiolog, gjinekolog e okulist.
“Gjatë muajit Janar, tha ai, në spitalin e Burrelit nuk është kryer asnjë operacion. Dy mjekët kirurgë e kanë patur të pamundur të kryenin ndërhyrje kirurgjikale pasi mjeku anestezist është jashtë vendit për shkaqe shëndetësore. Kemi kërkuar të mundësohet ardhja e një mjeku tjetër narkozist por ka qenë e pamundur”.
Po ashtu dje i mbaroi kontrata mjekut gjinekolog dhe gratë shtatzëna duhet të udhëtojnë drejt Tiranës, Lezhës apo Dibrës, për të lindur apo për të kryer vizita gjinekologjike.
Në këtë spital mungojnë edhe mjekët e tjerë specialistë si kardiologu, okulisti, etj.