Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi hodhi akuza të forta për kreun e PD-së Lulzim Basha, duke thënë se kryedemokrati ka një çështje të hapur në Prokurori, dhe me atë çështje mbahet peng nga Edi Rama.
Sipas Kryemadhit bëhet fjalë për mbi 600 mijë dollarë të paguara për një foto me Donald Trump, që është ende e hapur.
Kryemadhi gjithashtu akuzoi Bashën se ka përkthyer votat e partisë së tij, në përfitime financiare.
Pjesë nga deklarata e Kryemadhit në emisionin “Opinion”:
Pangopësia financiare e klanit të tij, që ta përkthejë votën e partisë së tij në para në xhepin e tij. Kaloi çdo lloj limiti, dhe Netflix do ta kërkojë për ta bërë. Siç e bën ajo “I am Georgina”, ky do ta bëjë “Unë jam Luli”.
Fevziu: Kjo është akuzë shumë e rëndë, ju o keni fakte, o s’keni…
Zotëri, ju e dini shumë mirë që ka një çështje në SHBA, ku Bilal Shehu është dënuar me 4 vite për shkak të një fotoje që ka bërë Edi Rama me Obamën, për 80 mijë dollarë. Po dhe dihej sa ishin çimet e fotove.
Ka dhe një çështje në SHBA, Trump i bënte për më pak. Por sot e kësaj dite kemi një çështje të mbyllur për procedurë, për 675 mijë dollarë, të një fotografie me Trump, por që ne e dimë që nuk janë aq. Çështja nuk është mbyllur, është e hapur aty, dhe këtu fillon shtrëngimi i litarit në fyt të Bashës.
