Lideri i Shtetit Islamik, Abu Ibrahim al-Hashemi al-Quraishi, hodhi veten në erë pasi u lokalizua nga forcat speciale amerikane. Presidenti Joe Biden deklaroi se Shtetet e Bashkuara i morën të gjitha masat e mundshme për të minimizuar viktimat civile gjatë operacionit të forcave speciale amerikane në veriperëndim të Sirisë, gjatë të cilit u vra lideri i Shtetit Islamik, Abu Ibrahim al-Hashemi al-Quraishi.
Ndërsa trupat amerikane iu afruan objektivit, Quraishi u ngrit duke vrarë anëtarët e familjes, përfshirë gra dhe fëmijë, tha Biden dhe zyrtarët amerikanë.
“Urdhërova Pentagonin që të merrte të gjitha masat për të shmangur viktimat civile. Ne dërguam qëllimisht forca speciale dhe nuk përdorëm sulme me dronë për të shmangur viktimat civile. Por terroristi vendosi të hidhte në erë katin e tretë të shtëpisë, duke vrarë veten dhe disa anëtarë të familjes së tij, ashtu siç bëri paraardhësi i tij”, tha Biden në një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë.
Abu Ibrahim al-Hashemi al-Quraishi ka udhëhequr Shtetin Islamik që nga vdekja e themeluesit të tij, Abu Bakr al-Baghdadi, në vitin 2019, i cili gjithashtu vdiq duke hedhur në erë veten gjatë sulmit nga komandoja amerikane.
“Falë guximit të trupave tona, ky udhëheqës i tmerrshëm terrorist nuk është më”, tha Biden, duke shtuar se operacioni u dërgoi një mesazh të fortë terroristëve në mbarë botën se ata do të gjenden.
As Biden dhe as zyrtarët amerikanë nuk dhanë shifra rreth viktimave gjatë operacionit, por forcat sirianë të sigurisë thanë se të paktën 13 vetë u vranë, mes tyre katër gra dhe gjashtë fëmijë. Banorët e qytetit Atmeh, pranë kufirit me Turqinë, thanë se helikopterët u ulën dhe se zjarri e shpërthimet e forta u dëgjuan gjatë bastisjes që filloi rreth mesnatës. Forcat amerikane përdorën altoparlantë me zë të lartë për të paralajmëruar gratë dhe fëmijët që të largoheshin nga zona, thanë ata.
