Namir Lapardhaja, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, u shpreh se dënimi i Saimir Tahirit është një lajm i keq për politikanët e tjerë që kanë mbajtur peng për 30 vite këtë vend.
Lapardhaja tha se tashmë Sali Berisha është i ekspozuar ndaj drejtësisë së re, dhe se laku po ngushtohet për frymëzuesin e Foltores.
“Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë, por është një lajm i keq për Edi Ramën. Është një lajm i mirë për drejtësinë, por Edi Rama e ka mbrojtur gjatë kohës kur ishte ministër. E rëndësishme është që drejtësia po fillon të funksionojë. Ministri që mbrojti Rama është dënuar me burg. U distancua në fillim, por më pas u mbështet. Në këtë kohë, vjen në një moment që edhe politika nuk e mbron dot. Ky është një lajm i mirë për drejtësinë, të tërheqë këmbën zvarrë për të tjerët.
Fakti që sot është dënuar Tahiri, personi i parë që është i ekspozuar ndaj drejtësisë së re tashmë është frymëzuesi i Foltores, Sali Berisha. Njeriu që është më i pakënaqur dhe më i mërzitur me këtë lajm në politikën shqiptare është Sali Berisha. Fakti që SPAK-u po fillon të funksionojë dhe me mbështetjen e amerikanëve, domethënë që laku po shtrëngohet edhe për Berishën, edhe për Ramën dhe të gjithë politikanët që kanë mbajtur peng këtë vend”, tha Lapardhaja për Report Tv.
