Rusia tërheq trupat nga Ukraina, pikërisht në ditën, kur ishte paralajmëruar shpërthimi i luftës. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria Ruse e Mbrojtjes, e cila njofton se ka përfunduar stërvitjet e saj ushtarake në Krime.
“Njësitë e Qarkut Ushtarak Jugor, pasi kanë përfunduar pjesëmarrjen e tyre në stërvitjet taktike, po lëvizin në pikat e tyre të përhershme të vendosjes”, u citua të ketë thënë një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes.
Ndërkohë, raportohet se televizioni shtetëror rus tregoi imazhe të njësive ushtarake që kalonin një urë që lidh gadishullin e kontrolluar nga Rusia me kontinentin.
Sipas një raporti të mediave botërore, fuqitë perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë kërkuar të shohin prova për këtë, pasi kriza Rusi-Ukrainë ka goditur tregjet globale dhe ka përshkallëzuar tensionet gjeopolitike.
Por, sekretari britanik i Mbrojtjes ka thënë se bota duhet ta gjykojë Rusinë nga veprimet e saj, duke paralajmëruar se një pushtim i Ukrainës është ende i mundur.
Ben Wallace ka thënë për Sky News se “ajo që ne nuk kemi parë është dëshmia e tërheqjes që është pretenduar nga Kremlini”.
