Komiteti Teknik i Ekspertëve ende nuk vlerëson që Shqipëria është gati për të rishikuar masat në fuqi.
Drejtorja e ISHP, Eugena Tomini, në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus” u shpreh se situata epidemiologjike vijon të mbetet në monitorim. Por, sipas saj, nuk është koha që vendi ynë të lehtësojë kufizimet.
“Situata epidemiologjike për gjithë fazën e pandemisë është në monitorim. Shqipëria po e monitoron situatën, por ende jo për të ndryshuar masat shtrënguese që janë aktuale në territorin shqiptar… SARS COV 2 ka sjellë disa lloj mutacionesh.
Prezencat e tyre kanë sjellë valë kalimtare në të gjithë rajonin, ose duke përvijuar në një nga vendet e rajonit, ku ka ardhur më herët, e më pas në Shqipëri. Duhet të themi që është një situatë që po monitorohet me shumë seriozitet. Masat janë marrë të ndikuara nga situata epidemiologjike”, deklaroi Eugena Tomini.
