Në një intervistë për tirananews.al kandidati i PS-së për Bashkinë e Dibrës Rahim Spahiu sqaron se ka një karrierë brilante në profesionin e tij. Ai është takuar ditët e fundit me zgjedhësit e Dibrës dhe ka “mbajtur shënim” të gjitha problematikat e mbartura ndër vite dhe ka marrë angazhime konkrete për zgjidhjen e tyre. Spahiu shprehet se kryefjala e punës së tij në krye të pushtetit vendor do të jenë; infrastruktura, bujqësia dhe turizmi. Eshtë modest kur flet për rivalët në garë dhe vijon se; “Partia Socialiste është e vetmja forcë politike e cila mund të qëndrojë në ballë të punëve të mira dhe punëve të përfunduara me sukses”.
INTERVISTA
Zoti Spahiu cila është karriera juaj?
Karriera ime është ajo e zakonshmja e një njeriu që beson dhe e dashuron profesionin e tij. Që prej ditës së parë të punës e deri më sot, nuk i jam ndarë pasionit më të madh, që ka qenë financa. Kam patur poste të ndryshme pune përgjatë karrirës sime më shumë se 30 vjeçare, dhe mendoj se i kam ngjitur me meritë shkallët e profesionit. Investimi im, sigurisht nuk ka qenë vetëm profesional, por kam dashur të ruaj gjithmonë staturën e një personi që interesohet edhe për qytetin e tij dhe mbarëvajtjen e punëve. E kam mbajtur gjithmonë të angazhuar veten për të dhënë një mendim atje ku më është kërkuar, të jap kontribut atje kur ka menduar se është i vlefshëm dhe erdha në këtë pikë, që nuk e dija se do të vinte, por është përgjegjësi e mirëseardhur që të jem përballë bashkëqytetarve të mi që t’u kërkoj votëbesimin për të qenë kryepunëtori i qytetit.
Kandidimi për kryetar bashkie e pritët me habi, si përgjegjësi apo detyrim për qytetarët ë Dibrës?
Sigurisht, që këto janë ngjarje që njeriut i ndodhin një herë në jetë dhe nuk mund të them se ishte një ndjenjë e caktuar. Ka qenë një përzierje emocionesh pozitive. Por e vërteta është që pas kandidimit, kënaqësia e momentit u zëvendësua me një ndjenjë të lartë përgjegjësie ndaj qytetit tim të dashur. Të jesh kryetar bashkie në vendin tënd është sa speciale, aq edhe detyrim për të dhënë më të mirën. Në 6 mars dibranët do të vendosin me votë për të ardhmen e tyre dhe unë besoj se ata dinë më mirë se kushdo të bëjnë zgjedhjen e duhur. Pra, është përgjegjësi dhe detyrë e lartë të dalësh përpara bashkëqytetarëve të tu, tu kërkosh besimin se do të japësh më të mirën nga vetja. Fundja, nuk ka kuptim ndryshe, përballë miqve e bashkëqytetarëve, më e mira është detyrim.
Gjatë takimeve, bisedave dhe debateve që keni patur me zgjedhësit çfarë problemesh keni evidentuar?
Fatmirësisht, jemi dhe jetojmë në një qytet që natyra nuk ia ka kursyer të mirat. Qeveria vitet e fundit nga ana tjetër ka bërë investime strategjike që veçse zhvillim do i japin zonës. Mjaft të përmendim Rrugën e Arbrit. Por, absolutisht nuk mund të themi se nuk mund të bëjmë më shumë për Dibrën. Dibranët në çdo bashkëbisedim, kanë patur një sens qytetar mbresëlënës dhe me të drejtë kërkojnë më të mirën për qytetin. Do duhet Bashkia në vitet në vijim të punojë fort për infrastrukturën dhe për të ruajtur, në mos të ndihmojë fort në zhvillimin e fronteve të reja të punës, me qëllim që të rinjtë t’i mbajmë në gjirin tonë e t’u japim të ardhmen që meritojnë.
Nëse me 6 mars do të jeni Kryetar i Bashkisë Dibër, cilat do të jenë prioritetet e punës tuaj?
Shumë të rëndësishme për mua, që do jenë edhe kryefjala e punës së Bashkisë Dibër, nëse bashkëqytetarët e mi vendosin të më besojnë me votë janë: infrastruktura, bujqësia dhe turizmi. Nuk mund t’i lejojmë vetes që në Dibër të ketë rrugë të pashtruara, zona të paorganizuara, të pakujdesura nga pushteti vendor. Kjo bërë bashkë edhe me kujdesin e vazhdueshëm për shtimin e parqeve dhe gjelbërimit. Sigurisht, që nuk do të lëmë absolutisht jashtë vëmendjes, madje me një përkushtim të veçantë, çerdhet, kopshtet e shkollat. Këto duken si gjëra të stërthëna në fushtatat për zgjedhje lokale, por këtyre punëve ne do t’u shkojmë me këmbëngulje deri në fund. Nga ana tjerë, e theksova dhe pak më sipër se kemi fatin të jemi në një vend të bekuar. Do kujdesemi posaçërisht për fermerin, për bujqësinë dhe blegtorinë, mbi të gjitha duke i ndihmuar me infrastrukturën e nevojshme. Në theksin tonë është mbi të gjitha ruajtja dhe stimulimi i prodhimit vendas. Ne besojmë fort se konsumi duhet të jetë “made in Albania”. Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, turizmi. Do të investohemi tërësisht që Dibrën ta bëjmë destinacion të preferuar. Falë Rrugës së Arbrit, Dibra tashmë është më pranë çdo qyteti të Shqipërisë. Do të investohemi fort në infrastrukturë dhe të stimulojmë agroturizmin, falë edhe peizazheve fantastike që na ka falur natyra.
A keni një koment për rivalët e tjerë në garë?
Nuk kam asnjë koment për rivalët, përveçse i uroj suksese në fushatë dhe uroj që të jenë po aq sa unë të dhënë me mish e shpirt pas dëshirës që ky qytet të jetë model. Megjithatë, e di shumë mirë; siç kemi treguar edhe në jo pak raste, por gjatë 9 vjetëve qeverisje; se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike e cila mund të qëndrojë në ballë të punëve të mira dhe punëve të përfunduara me sukses. Dhe unë vet, nuk kam ndërmend që të jem jashtë këtij etaloni dhe standardi të lartë politik, pse jo edhe më mirë, gjithmonë në shërbim të motrave dhe vëllezërve të mi dibranë.