Një zjarr ka rënë në një traget të Grimaldi Lines me 237 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit në bord teksa po udhëtonte në detin Jon midis portit grek të Igumenicës dhe Brindisit. Udhëtarët janë evakuuar plotësisht dhe aktualisht nuk ka të lënduar.
Aksidenti ndodhi në brigjet veriore të ishullit grek të Korfuzit, midis Greqisë dhe Shqipërisë, rreth 9 milje nga bregu, në zemër të zonës greke SAR (kërkim dhe shpëtim).
Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit. Rojet bregdetare greke, përgjegjëse për shpëtimin, kontaktuan menjëherë Komandën e Përgjithshme të Autoriteteve Portuale në Romë, për të koordinuar ndërhyrjen. Roja Bregdetare italiane vuri në dispozicion mjete detare dhe avionë. Krahas patrullës së rojes bregdetare greke, në vend ka ndërhyrë edhe një njësi e Policisë Financiare Italiane që ndodhej në atë zonë detare.
