Me vajzën e tij përdore, Shpëtim Kiptiu, ashtu sikurse qytetarë të tjerë të komunitetit egjiptian bënë rreth 55 km rrugë nga Kavaja drejt Tiranës për t’iu drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale reagim për ndërprerjen prej gati një muaji të energjisë elektrike.
Kanë kërkuar lidhjen e një kontrate të rregullt me OSHEE-në. Por OSHEE, me pretendimin e mosgarantimit të kushteve teknike për vendosjen e një kabine elektike në baraket e tyre, nuk u ka ofruar një zgjidhje konkrete.
“Dhe pa dritë dhe fëmijë që do shkojnë në shkollë. Me çfarë do të shkojnë në shkollë këto fëmijë, a do shkruajnë?”
“Fëmijët po tremben natën, më janë bërë gjysmë robi.”
Problematika ka qenë e hershme, por më parë kanë bërë lidhje të paligjshme.
“I lidhnim, na i këpusnin.”
Shpesh thonë se ndihen dhe të diskriminuar, pasi edhe pse jetojnë prej më shumë se 40 vitesh atje, nuk figurojnë të regjistruar si banorë, duke u etiketuar herë pas here dhe si të ardhur.
“Kemi shkuar, jemi ankuar, kemi qarë, atëherë cila është arsyeja.”
“Çfarë jetese është ajo?! Bashkia e Kavajës nuk na jep asnjë rrugëzgjidhje.”
Pas takimit me një përfaqësi të tyre, ministria u premtoi se do të kontaktojë me Bashkinë e Kavajës dhe t’i jepet zgjidhje problemit për një javë.
“Do ju japim javën tjetër një zgjidhje, si për banesat ashtu edhe për energjinë elektrike.”
Në bashkinë e Kavajës janë të paktën 36 familje egjiptiane që nuk kanë furnizimin me energji elektrike.