Në tragetin që u dogj në ujërat mes Shqipërisë dhe Greqisë ishin edhe tre shqiptarë të cilët mundën të shpëtojnë.
Një prej tyre është dhe Zef Lufi, nga Puka që jeton në Selanik.
Ai ka shpjeguar se si nisi makthi në tragetin e përfshirë nga flakët dhe se si arriti të dalë pa dëmtime.
“Në tre na zgjuan se ka zjarr dilni jashtë. Dolëm jashtë, hipëm sipër në tarracën e tragetit. Na mori personeli i tragetit, na rreshtoi dhe na thanë do prisni këtu. Shikoja tym shumë të madh në tarracë. Na mbajtën për një orë e panë që nuk mund të shuhej zjarri. Na vunë në dy varka dhe e lamë tragetin. Gjatë kësaj ndodhie e pamë vdekjen para syve, na larguan nja 50 metra larg tragetit dhe për 20 minuta i hipi flaka gjithë tragetit gjithandej dhe do zoti shpëtuam. Ishte edhe një shqiptar që ishte me mua, ai është në hotel. Më shumë kanë qenë bullgarë dhe rumunë. Shkaqet e zjarrit nuk i kuptoj, thoshin në garazh ka frigorifer dhe ka pësuar shkëndija zjarri sepse lidhen korenti me frigoriferët”, u shpreh ai për TCH.
Ndërkohë lufta me flakët në traget ka vazhduar gjatë ditës dhe natës. Po ashtu, edhe kërkimet për 12 persona që mungojnë në listën e udhëtarëve. Bëhet fjalë për 7 shtetas bullgarë, një lituanez, tre grekë dhe një turk.
