Pas fermerëve të Lushnjë, Beratit dhe Fierit, edhe fermerët në Përmet kanë dalë sot në protesta para bashkisë për mungesën e subvencioneve dhe rritje e çmimeve që nga nafta e deri te imputet bujqësore. Fermerët kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë subvencionim të drejtë, pasi sipas tyre skema aktuale po i nxjerrë ata në rrugë.
Me pankarta në duar ‘Na e hoqët përsheshin me qumësht’, ‘Ulni çmimin e naftës’, “Mos u tallni me fshatin”, fermerët protestuan paqësisht para Bashkisë Përmet mbi vështirësitë që po hasin.
Subvencionet në minimumin, asnjë paketë për dalje nga kriza, çmimi i lartë u naftës dhe drithërave për blegtorinë, imputet e larta bujqësore sipas tyre e bëjnë të pamundur vazhdimin e punës në bujqësi dhe blegtori. Fermerët shprehen para kamerave që nuk kanë marrë subvencione edhe pse kanë aplikuar dhe kanë 200 krerë bagëti. Ndërsa disa të tjerë shtojnë se dhe ato pak subvencione që kanë marrë nuk i mbulojnë shpenzimet e tyre.
“Duam mbështetje nga shteti, të ngrihen subvencione, aplikojmë dhe nuk i marrim dot. Kam 180 kokë dele dhe nuk kam marrë asnjë rimbursim”, tha një prej tyre.
Nëse vijohet kështu nga shteti, thonë fermerët do të largohen nga vendi pasi nuk e përballojnë dot jetesën.
