Importi i makinave të përdorura në vitin që lamë pas pësoi një rritje të konsiderueshme.
Referuar të dhënave nga administrata doganore, kjo shifër në vitin 2021 arriti në 10 mijë automjete më shumë se viti 2020, në total 46.648.
Për bizneset e fushës një nga faktorët e këtij trendi është fakti që pandemia dekurajoi lëvizjen me mjete të transportit publik. Por jo vetëm, kriza diktoi gjetjen e tregjeve të reja me kosto edhe më të ulët.
Por e kundërta ka ndodhur me automjetet e reja. Ky treg ishte në stanjacion krahasuar me vitin 2020. Shifrat e doganës tregojnë për një import prej 2500 automjetesh. Në 2021 janë importuar 2571 ndërsa në 2021 2588.
Si çdo sektor tjetër i ekonomisë, edhe tregu i prodhimit dhe shitjes së makinave po përballet me rritje të kostove. Oferta nuk po i përgjigjet kërkesës së lartë, ndaj dhe pritshmëritë për këtë vit janë një shtrenjtim i çmimeve.
Blerja e një makine të re mbetet më me leverdi ekonomike sesa e një automjeti të përdoruar, por gjendja ekonomike e familjeve, si dhe mungesa e stimulimit të kësaj industrie me politika mbështetëse ka bërë që në tregun tonë të dominojnë makina të vjetra mesatarisht 15-vjeçare.
