Djali i Saimir Tahirit, Drini, bën sot 11 vjeç. Por ndryshe nga një vit më parë, këtë herë ka munguar një urim në Facebook, nga babai i tij, që aktualisht po vuan dënimin në burgun e Rrogozhinës.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin me 3 vite e 4 muaj, raporton Tirananews.
Në vjeshtën 2017, gjashtë muaj pas fitores së mandatit të dytë qeverisës drejtuar po nga Rama, plasën akuzat për trafik droge kundër Tahirit.
Organet e atëhershme të Drejtësisë në Shqipëri u vunë në dijeni nga Prokuroria e Katanias (Itali) që në përgjimet e saj të bisedave të trafikantëve të drogës, anëtarë të një organizate kriminale shqiptare që vepronte edhe në Itali, ishte përmendur edhe emri i ish-ministrit Tahiri. Në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij.
Mazhoranca socialiste refuzoi kërkesën me mungesën e provave. Gjashtë muaj më pas, në pranverën 2018, Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit duke i hapur rrugën hetimeve.
