“Në çdo rast që Kosova do të rrezikohet ne do jemi një Komb një qëndrim”, u shpreh sot në parlament, deputetja e PDIU, Mesila Doda.
Duke marrë shkasë nga sulmet ruse kundrejt Ukrainës që nisën në orët e para të mëngjesit sot, Doda shprehet e shqetësuar për sigurinë e Kosovës, duke thënë se Serbia si aleat rus që është mund të ndërhyjë në Kosovë.
Ajo bën thirrje qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare që të mobilizohen dhe të jenë gati për çdo skenar, pasi sipas saj Serbia ka blerë rezerva ushqimore përpara 10 ditësh për çdo rast.
“Por lufta e cila duket se është larg është më afër se kurrë. Nuk mund të mendojmë se nuk prekemi dhe se lufta është larg. Mos harrojmë se aleati i Rusisë në rajon që mendonte se do bënte Ballkanin e Hapur dhe ndërkohë po rrezikon që të bëhet Ballkan i ndezur ka vite që kërkon dhe vazhdon armatimin, Serbia. Përpara 10 ditësh deklaroi se kishte blerë rezerva ushqimore me miliona ton ushqime për çdo lloj rasti. gjë që do të thotë se kërcënimi është shumë pranë nesh. Në këto raste nuk mundtë sillemi sikur kjo gjë nuk na takon.
Por duhet të kuptojmë se në çdo rast që Kosova do të rrezikohet ne jemi një komb dhe një qëndrim. Nuk munde të mendojmë se kjo nuk do të vijë kurrë. Që sot presidentët e republikave, qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë dhe Këshillat politik mbarë kombëtar duhet te ngrihen dhe të kemi një koordinim më të mirë mes nesh. Por Kosova nuk mund të jetë kurrë në gjumë në këto moment, duhet të jemi më në alert se kurrë, më të zgjuar se kurrë dhe të kuptojmë që krijimi i shtetit të Kosovës nuk mund të preket nga fantazmat e së kaluarës. Ajo që po ndodh sot është fillimi i një periudhe shumë të vështirë. Parlamenti i Shqipërisë duhet të fillojë të gjitha kontakte me Kosovën që të kuptohet që nuk jemi një vend që nuk interesohemi për Kosovën. Duhet t’i mbrojmë me çdo kusht”, u shpreh Mesila Doda.
