Duket që gjykatat e rretheve po shkojnë drejt boshatisjes për shkak të ndëshkimit që u vjen gjyqtarëve nga KPK-ja. Në vazhdën e procesit të vetingut përballja me Komisionin e Rivlerësimit të kritereve bazë që janë vendosur për të verifikuar elementët e domosdoshëm të përcaktuar nga ky komision, ka çuar ditën e premte në shkarkimin e dy gjyqtarëve të rretheve, njërin në Pukë e tjetri nga Gjykata e Durrësit.
Ndonëse KPK-ja ende nuk i ka zbardhur vendimet për këto dy subjekte rivlerësimi, bëhet me dije se gjyqtarja e shkarkuar nga Gjykata e Pukës është motra e komisarit të vrarë në krye të detyrës vetëm pak muaj më parë, të ndjerit, Saimir Hoxha. Edhe pse ajo ka kundërshtuar mekanizmin e ndjekur nga trupa verifikuese, nuk ka mundur t’i shpëtojë ndëshkimit në lidhje me pasurinë e familjes së saj, pasuri që në fakt nuk është vërtetuar nga asnjë komision që i vjen nga korrupsioni përgjatë ushtrimit të detyrave të saj, si në Gjykatën e Pukës ashtu edhe në ish-KLD.
Po ashtu, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar edhe gjyqtarin e Durrësit, Shpëtim Reka, i cili ka ngecur në justifikimin e pasurisë si dhe në mosdeklarimin e një rasti që është shoqëruar sipas KPK-së me person me precedentë kriminal.
SEANCAT E 25 SHKURTIT
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të premten vendimin për shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, Flutura Hoxha. Gjatë seancës dëgjimore, realizuar ditën e martë, më 22 shkurt, KPK-ja konstatoi mosdeklarim dhe mungesë të burimeve për pasuritë e prindërve të gjyqtares. Gjyqtarja Hoxha pranoi disa pasaktësi, ndërsa kundërshtoi analizën financiare që ishte kryer nga Komisioni. Flutura Hoxha njihet për karrierën e gjatë në sistemin gjyqësor. Që nga viti 1998 e deri në 2006-ën ajo ka shërbyer si kryetare në Gjykatën e Pukës.
Po ashtu, përgjatë periudhës 2007- 2011 ka mbajtur funksionin si inspektore në ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe në 2012- ën është rikthyer sërish në Pukë si gjyqtare. Hoxha kundërshtoi konkluzionet e KPK-së për pasurinë dhe e konsideroi të gabuar metodologjinë e përdorur në analizën financiare: “Të ardhurat e mia janë të njehsuara me ato të prindërve. Duke qenë një familje patriarkale, të ardhurat janë dorëzuar në familje. Ato nuk janë konsideruar si dhuratë, por si detyrim”.
Ajo shtoi se mosdeklarimet e pakësimeve të “cash”- it kur i ati kishte investuar në depozita kishin ndodhur për shkak të faktit se ishte me gjendje civile e ndarë që prej vitit 1993, shumë kohë përpara se të ushtronte detyrën e gjyqtares. Po ashtu, KPK-ja në të njëjtën ditë me një trupë tjetër shkarkoi edhe Shpëtim Rekën. Nëpërmjet mbrojtësit të tij, gjyqtari i Durrësit paraqiti një mbrojtje të gjatë duke kundërshtuar konstatimet për balancat negative; dyshimet për pasuri të fshehura; gjendjen në konfliktin e interesit me ndërtuesit e pallateve ku ka blerë një apartament dhe një tjetër i është dhuruar të birit nga gjyshja; dyshime për veprime fiktive në blerjen e një automjeti; si dhe huapërdorja pa afat e një makine nga një person i dënuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
