Luftimet dhe bombardimet në Ukrainë nuk kanë ndalur as gjatë kohës kur pala ukrainase dhe pala ruse ishin ulur në bisedime. Raportohet se ka patur bombardime të rënda ruse në qytetin lindor të Ukrainës, Kharkiv, ku për pasojë kanë mbetur dhjetëra të vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur.
Anton Herashchenko, një këshilltar i ministrit të brendshëm të Kievit, shkroi në Facebook se trupat e Moskës kishin bombarduar zonat e banuara me raketa Grad, duke thënë: “Dhjetëra janë vrarë dhe qindra të plagosur. E gjithë bota duhet ta shohë këtë tmerr! Vdekje pushtuesit!”
Është e pamundur të saktësosh tani sesa persona janë vrarë dhe sa të tjerë janë plagosur. Shefja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, deklaroi më herët sot se të paktën 102 civilë ishin vrarë, ndërsa 304 të tjerë u plagosën.
“Shumica e këtyre civilëve u vranë nga armë shpërthyese me një zonë të gjerë ndikimi, duke përfshirë granatimet nga artileria e rëndë dhe sistemet e raketave me shumë lëshime, dhe sulmet ajrore. Shifrat reale, kam frikë, janë shumë më të larta,” tha Bachlet.
