Dinamo u rikthye me bujë në kategorinë superiore të futbollit shqiptar këtë sezon duke pretenduar objektiva madhorë deri te titulli kampion, por sot e gjejnë veten pranë fundi t të tabelës dhe duhet të bëjnë llogaritë vetëm për të mbijetuar. Gjërat sa vjen edhe vështirësohen duke bërë që presioni tek “nëndetësja” të shtohet gjithnjë e më shumë.
Kalendari është mjaft i vështirë për 17 herë kampionët e Shqipërisë në javët e ardhshme, ku në ndeshjen e radhës do kenë përballë shkodranët e Vllaznisë, ndërsa javën pasuese do të kenë sfidën direkte me Skënderbeun në luftën për mbijetesë.
Aktualisht, Dinamo ndodhet në vendin e tetë, në kuotën e 20 pikëve, plus dy nga Kastrioti dhe plus tre pikë në raport me Skënderbeun. Një situatë aspak e favorshme e cila kërkon përqëndrim dhe dhënien e maksimumit në fushë për marrjen e rezultateve pozitive.
