Sonte në mbrëmje, tifozët e futbollit pritet të përjetojnë emocione të forta pasi do të luhet derbi i famshëm dhe shumë i luftuar i Italisë mes Interit dhe Milanit. Dy ekipet rivale luajnë sot një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, pasi fati i përcaktoi që të përballen në 1/2 e Kupës së Italisë.
Dy skuadrat e Milanos janë në një betejë të fortë edhe në garën për kampionat, ku momentalisht Milan dhe Napoli kryesojnë kampionatin me nga 57 pikë secila, por me napoletanët qe mbajnë vendin e parë për shkak të golavarazhit. Ndërsa Inter ndodhet në vendin e tretë me 55 pikë, pra vetëm 2 pikë larg vendeve të para, por ka një ndeshje më pak me Bologna-n nga e cila mund të përfitojë që të rimarrë kreun nëse fiton.
Milan dhe Inter pritet që të luajnë fort në këtë sfidë pasi një fitore në Kupë, do të kishte një ndikim të madh edhe në kampionat. Turneu i Kupës së Italisë në fazat finale të saj luhet me ndeshje kthimi, kështu që për t’u vendosur se kush do të shkojë në finale duhet të presim deri në 20 prill, datë kjo kur është programuar të jetë ndeshja e kthimit.
Ndërkohë Milan shpreson shumë që të përsëritet historia e tre javëve më parë, ku “dopjeta” e sulmuesit Giroud i dhuroji një fitore të çmendur ndërsa Inter kërkon me çdo kusht të marrë hak për atë humbje që pati një efekt shumë negativ në ndeshjet pasuese.
