Ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj, njëherësh ekspert i mbrojtjes dhe sigurisë thotë se Putin nuk do të tërhiqet gjersa të arrinte objektivat e tij që janë emërimi i një qeverie kukull në Kiev, aneksimi i Ukrainës lindore dhe bllokimi i Detit të Zi.
‘Për t’i dhënë përgjigje pyetjes tuaj e rëndësishme është të kuptojmë kush është Putin? Ata që kanë studiuar Putinin, të gjithë e kanë të vështirë të parashikojnë një vendim të tij për tu tërhequr. Dy janë objektivat strategjike të Putinit, ndryshimi i udhëheqjes së Ukrainës dhe marrja e gjysmës lindore të Ukrainës. Pendimi i daljes në Detin e Zi. Unë e shoh të pamundur një tërheqje të Putinit duke patur parasysh mentalitetin e tij’, u shpreh ish-ministri i Brendshëm.
Ndërkohë Demiraj ka komentuar edhe zërat që flasin për një eliminim të mundshëm të Vladimir Putinit nga brenda Rusisë. Ai theksoi se kjo do të ndodhte vetëm në rast se ai do të urdhëronte përdorimin e bombave bërthamore.
‘Në rast se e keni ndjekur unë e kam studiuar Putinin prej 20 vitesh, bashkëshortja që është ndarë prej 12 vitesh nga Putini thotë në media se ky nuk është Putini im. Historia e BS edhe para Bashkimi Sovjetik por edhe në rastin e Stalinit, Brezhnjevit, historia ka treguar se nëse një udhëheqës bëhet i fuqishëm dhe nëse jep urdhër për përdorimin e armëve bërthamore, gjykoj se shtabi i përgjithshëm i Kremlinit do ta izolojë ose do ta ekzekutojë. Ai ka hyrë në një rrugë pa krye nuk e kishte menduar kështu. Që nga dita e sotme dhe nesër e mbrapa shikojmë një rritje të ndjeshme të armatimit dhe armë që do shkaktojnë dëme të jashtëzakonshme, vijoi më tej Demiraj në ABC.
I pyetur nëse ndokush nga ana e Rusisë apo dhe nga perëndimi do të guxonte të përdorte armët bërthamore në rast përshkallëzimi të luftës, Demiraj e mohoi në mënyrë kategorike, duke thënë se kjo do të sillte shkatërrimin e njerëzimit.
‘Jo nuk do të ndodhë, është shkatërrim i njerëzimit’’, deklaroi Demiraj.
