Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka mbërritur në ditën e gjashtë të saj, duke kapërcyer tashmë në një fazë të re. Ushtria ruse ka intensifikuar bombardimet në Kharkiv dhe qytete të tjera. Një autokolonë ushtarake ruse prej 60 kilometrash ka mbërritur aktualisht në portat e kryeqytetit ukrainas.
11:00 Britania vendos sanksione të reja kundër Rusisë dhe ndalon anijet ruse nga portet e Mbretërisë së Bashkuar
Mbretëria e Bashkuar prezantoi të martën sanksione të reja kundër Rusisë, duke përfshirë ndalimin e anijeve ruse që hyjnë në portet britanike. “Ndalimi i anijeve ruse nga portet e Mbretërisë së Bashkuar dhe sanksionet e reja ekonomike kundër institucioneve kryesore financiare ruse, përfshirë bankën e saj qendrore, në koordinim të ngushtë me aleatët tanë, do të degradojnë ekonominë e Rusisë dhe do të ndihmojnë që Putini të humbasë”, tha Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss. Masat ekonomike shtesë, “përfshirë kundër Bankës Qendrore Ruse dhe fondit të pasurisë sovrane të shtetit nënkuptojnë gjithashtu se shumica e sistemit financiar të Rusisë mbulohet tani nga sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar, thuhet në deklaratë.
22:35 Vijojnë shpërthimet në Kiev
Disa shpërthime u dëgjuan në një distancë nga kufijtë e qytetit të Kievit rreth orës 22:40 me orën lokale të së martës sipas ekipeve të CNN në zonë.
22:30 Zelensky po qëndron në bunkerin sekret
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski po qëndron në një bunker sekret, ndërsa është njeriu më i kërkuar aktualisht nga ushtarët e Vladimir Putin. Reuters arriti t’i marrë një intervistë presidentit të Ukrainës teksa përsërit thirrje që Ukraina do të luftojë me heroizëm, por që e vetme nuk mund t’ia dalë në këtë betejë të përgjakshme.
20:09 Zelensky dhe Biden flasin në telefon
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar sot një bisedë telefonike 30-minutëshe me presidentin amerikan Joe Biden. Zelensky shkroi në Twitter se ata diskutuan sanksionet anti-ruse dhe mbështetjen e mbrojtjes për Ukrainën.“Ne duhet ta ndalojmë agresorin sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.
19:27 Godina të shkatërruara si copa kartoni, pamjet e bombardimit të Kharkivit
Nëntë civilë, mes tyre tre fëmijë kanë mbetur të vrarë në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, këtë të hënë. Forcat ruse bombarduan me raketa një zonë banimi në Kharkiv duke shkaktuar viktima dhe plagosur 37 të tjerë. Shumica prej godinave janë shkatërruar si të ishin copa kartoni dhe jo të ndërtuara prej hekuri e betoni. Makinat janë shtypur nga bombardimet ruse, ndërsa muret kanë rënë në tokë.
19:07 Sa ka përparuar ushtria ruse në Ukrainë?
Sulmi rus sa vjen bëhet edhe më i ashpër në territorin e Ukrainës. “Përparimi rus në Kiev mbetet aty ku ishte dje. Rusët jo vetëm po përballen me probleme të karburantit dhe mirëmbajtjes, por po tregojnë shenja se po u mbarojnë ushqimet”, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes, sipas CNN. Zyrtari përmendi një numër arsyesh të mundshme për ngecjen e sulmit rus, duke përfshirë edhe rezistencën ukrainase.
17:57 Zyrtari amerikan: Rusia po ngec, nuk kanë as ushqim
Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane tha se lëvizja ushtarake e Rusisë në Kiev ka ngecur pasi forcat e saj po përballen me sfida logjistike, madje nuk kanë as ushqim në disa njësi. Reuters, duke iu referuar atij, thotë se ushtria ruse nuk ka përparuar shumë në krahasim me ditën e djeshme. Ai ka shtuar se shumë ushtarë janë të rinj dhe nuk kanë provuar luftë më parë, e madje disa prej tyre nuk e dinin se do të ishin në luftim me Ukrainën.
17:41 Zyrtari amerikan: Rusia lëshoi 400 raketa drejt Ukrainës
Zyrtari i lartë i mbrojtjes amerikane tha këtë të martë se drejt Ukrainës janë lëshuar më shumë se 400 raketa ruse. Sipas zyrtarit, ukrainasit kanë ende sisteme të mbrojtjes raketore ajrore që mbeten të qëndrueshme dhe të paprekura. “Ndërsa Rusia ende nuk ka arritur epërsi ajrore, ka zona ku ata kanë më shumë kontroll se të tjerët“, shtoi zyrtari amerikan për CNN.
17:27 Rusia po përgatitet të justifikojë ndërhyrjen e trupave bjelloruse në Ukrainë
Agjencia Qendrore e Inteligjencës së Ukrainës këtë të martë deklaroi se Rusia po përgatit një provokim, për të justifikuar futjen e trupave bjelloruse në luftë. Inteligjenca ukrainase njofton se aktualisht ndodhen rreth 300 tanke bjelloruse pranë kufirit bjelloruso-ukrainas. Kolona nuk e ka kaluar ende kufirin dhe është duke pritur afërsisht 30 kilometër nga Kufiri Shtetëror i Ukrainës.