Në konfliktin e armatosur në Ukrainë, mes shumë viktimave dhe të dëmtuarëve ka edhe fëmijë. Pas disa sanksioneve që janë bërë kundër Rusisë, UEFA ka menduar të mbështesë Ukrainën duke ofruar një fond prej 1 milionë eurosh. Këto para do të shpërndahen kryesisht për fëmijët dhe refugjatët e vendosur në vendet përreth pas sulmit ushtarak të Rusisë.
Institucioni i lartë i futbollit, përmes “UEFA Foundation for Children” ka vendosur t’ju qëndrojë afër njerëzve që kanë më së shumti nevojë në këto momente.
“Anëtarët e Këshillit të Administratës së ‘UEFA Foundation for Children’ dhe presidenti Aleksander Ceferin, e kanë ndarë sot preminë e ‘UEFA Foundation Award 2022’ prej 1 milion eurosh për t’i ndihmuar fëmijët në Ukrainë dhe fëmijët refugjatë në vendet afër saj. ‘UEFA Foundation for Children’ ndër të tjera ka vendosur që ta vendos një fond për ndihmat e menjëhershme prej 100 mijë eurosh, për të asistuar tek fëmijët dhe refugjatët ukrainas”, njofton shtëpia e futbollit evropian.
Kujtojmë se UEFA dhe FIFA vendosën para dy ditësh të përjashtojnë kombëtaren dhe klubet ruse nga çdo lloj aktiviteti futbollistik. Gjithashtu UEFA hoqi dorë nga kontrata prej afro 40 milionë eurove që kishte me kompaninë ruse “Gazprom”.
