Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin ka bërë një reagim në lidhje me një lajm që qarkullon prej disa kohësh se 3 klube të mëdha europiane, Juventus, Real Madrid dhe Barcelona do të krijojnë një ligë të re të quajtur “SuperLiga 2”. Në fjalën e tij, Ceferin ka deklaruar se klubet po përdorin luftën për të bërë manovra të tilla.
“Klubet janë të lira të krijojnë një turne të tyrin, por nuk mund të konkurrojnë turnet që organizon UEFA. Fillimisht përdoren pandeminë ndërsa tani po përdorin luftën”, tha paraprakisht Ceferin.
Më pas, kreu i qeverisë së futbollit europian u shpreh në një intervistë për ‘Finacial Time’ edhe lidhur me luftën në Ukrainë:
“Askush nuk e priste një luftë në zemër të Evropës. Edhe ne si UEFA kemi lëvizur, kam qëndruar non stop 48 orë me lojtarë e trajner për ti ndihmuar që të largoheshin nga Ukraina. I kërkova ndihmë edhe qeverive por nuk mundën dot të na ndihmonin pasi askush nuk e garantonte sigurinë e njerëzve. Një nga lojtarët që u largua nga Ukraina erdhi direkt në shtëpinë time. Të gjithë ne duhet të bëjmë pjesën tonë. Shpresoj që lufta, kjo çmenduri, të përfundoj sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Ceferin.
