Lufta ka nisur që tani ende pa filluar merkatoja verore, me klube e mëdha të cilat janë vënë në garë për të siguruar shërbimet e sulmuesit të Napolit, Victor Osimhen. Ai është kthyer në një objektiv primar për skuadrat kryesore europiane.
Në radhët e klubeve që kanë shprehur intres për të janë Real Madrid dhe Manchester United. Sipas asaj që raporton “Calciomercato”, të dy klubet mund të lëvizin për 23-vjeçarin në merkaton e verës, pavarësisht faktit se kontrata e tij aktuale me Napolin përfundon në vitin 2025.
Klubi italian pagoi 70 milionë euro në vitin 2020 për ta bërë të vetin Osimhen nga Lille, ndërsa kuptohet që çmimi i tij është rritur që atëherë.
Skuadrat që duan ta blejnë sulmuesin nigerian thuhet se duhet të paguajnë të paktën 100 milionë euro, pasi presidenti Aurelio De Laurentiis është i vështirë në negociata. Ylli nigerian mburret me 21 gola nga 52 ndeshjet e tij të para për klubin nga Serie A.
