Kryekomisioneri i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka dalë para pak minutash në një konferencë për mediat ku po jep shpjegime mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve që do të mbahen të djelën, në 6 mars. Ai paralajmëroi se çdo person që do tentojë të shkelë Kodin Zgjedhor do të mbajë përgjegjësi para organeve të drejtësisë.
Kujtojmë që këto zgjedhje do të zhvillohen vteëm për 6 bashkitë të cilat janë aktualisht pa kryetar.
Celibashi u bëri apel qytetarëve si edhe përfaqësuesve politikë të evidentojnë të gjitha rastet e shkeljeve dhe t’i denoncojnë menjëherë ato.
“Kushdo që do të tentojë të angazhohet me një proces të shitblerjes së votës dhe ndikimit mbi vullnetin e qytetarëve do të ketë pasoja. Nuk më vjen mirë ta sjell në vëmendje por tashmë një pjesë jo e vogël e atyre rasteve dhe personave që KQZ i ka evidentuar si shkelës të Kodit Zgjedhor janë duke u ballafaquar me organet e drejtësisë. Nëse dikush e ka guximin të ketë ballafaqim me organet e drejtësisë, mund ta bëjë. Ftoj ata qytetarë apo edhe përfaqësues të partive politike që në çdo rast që do evidentojnë shkelje t’i denoncojnë në organet e ndjekjes penale”, tha Celibashi.
