Ambasadori rus në Hagë, Alexander Shulgin ka deklaruar se Rusia nuk do të marrë pjesë në një seancë dëgjimore të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), ku Ukraina po bën thirrje për ndalimin e pushtimit. Ai u shpreh se qeveria ruse nuk do të ishte e pranishme në këto procedura.
Nga ana tjetër, kryegjyqtarja e gjykatës më të lartë të OKB-së tha se ndjen keqardhje për mosparaqitjen e Federatës Ruse.
Edhe përfaqësuesi i Ukrainës në Hagë, Anton Korynevych tha në gjykatë: “Fakti që vendet ruse janë bosh flet shumë, ata nuk janë këtu, ata janë në fushën e betejës”.
Ai akuzoi Moskën për ndotjen e Konventës së Gjenocidit duke përdorur pretendimet për një gjenocid inekzistent si një pretekst të rremë për të justifikuar pushtimin.
“Putini gënjen, qytetarët ukrainas vdesin,” tha ai.
Ukraina i ka kërkuar GJND-së që të ndërhyjë urgjentisht për t’i kërkuar Rusisë të pezullojë menjëherë operacionin e saj ushtarak, të parandalojë viktima të mëtejshme civile dhe çdo akt gjenocidi ose retorikë që shpreh qëllimin gjenocidal.
Si Rusia ashtu edhe Ukraina janë anëtarë të gjykatës dhe të dyja kanë nënshkruar Konventën e Gjenocidit.
