Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka kërcënuar Kosovën me të njëjtën gjuhë që Putin kërcënon Ukrainën lidhur me vendimet e tyre për t’iu bashkuar NATO-s.
Vuçiç ka deklaruar këtë të hënë se “e ashtuajtura Kosovë” sipas tij nuk duhet të bëj asnjë përshpejtim drejt pranimit “në disa organizata ndërkombëtare”, ndryshe do ketë pasoja.
“Ditën që do të pranohet në ndonjë organizatë ndërkombëtare do të thotë se është përmbysur marrëveshja e Uashingtonit. Dhe atë ditë do të mësojnë emrat e disa vendeve që e tërheqin njohjen e pavarësisë së të ashtuquajturës Kosovë”, ka thënë Vuçiç.
Ndër të tjera, në deklaratën e tij për mediat ai është shprehur se për shkak të konfliktit në Ukrainë, shumë e shohin situatën globale si një mundësi për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe se shumë duan anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO dhe në BE.
Më herët Vuçiç, ka thënë se nëse Kosova do të anëtarësohet në ndonjë organizatë ndërkombëtare do të ketë surpriza të pakëndshme duke shtuar se “ata (shqiptarët) dhe mentorët e tyre e dinë se unë nuk gënjej”.
“Nëse Kosova përpiqet të anëtarësohet në ndonjë organizatë ndërkombëtare, befasi të shumta e presin atë. Ata e dinë që unë nuk po gënjej. Nuk jam duke iu drejtuar vetëm atyre, por edhe mentorëve të tyre. Dhe po them se do të kenë shumë surpriza, jo një ose dy.
Një konflikt i ngrirë do të thotë të presësh që dikush të nxjerrë i pari shpatën, nuk do të doja që fëmijët e mi të shkojnë në luftë. Njerëzit duhet të dinë se cilat janë të gjitha rreziqet e një konflikti të ngrirë. Shqiptarët nuk janë në thelb të gatshëm për një zgjidhje kompromisi”, është shprehur Vuçiç.
