Presidenti i Republikës, Ilir Meta përshëndeti sot miratimin unanim të Rezolutës kundër agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës, nga Kuvendi i Shqipërisë.
Meta u theksoi se, “shprehim solidaritetin e plotë me popullin dhe institucionet demokratike dhe legjitime të Ukrainës në përpjekjet e tyre heroike për liri, dinjitet kombëtar dhe vlera evropiane”.
“Përshëndes miratimin unanim të Rezolutës kundër agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës, nga Kuvendi i Shqipërisë! Si vend anëtar i NATO, vend kandidat i BE, anëtar jo i përhershëm i KS të OKB, dhe me qëllimin e mbizotërimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Europë, rajon e më gjerë, shprehim solidaritetin e plotë me popullin dhe institucionet demokratike dhe legjitime të Ukrainës në përpjekjet e tyre heroike për liri, dinjitet kombëtar dhe vlera europiane!”, u shpreh Meta.
Kuvendi miratoi sot në seancë plenare me 123 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, rezolutën për mbështetjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane.
