Federata e futbollit anglez pritet të marrë një vendim i cili do të prishë kontratën e bashkëpunimit me Rusinë për transmetimin e ndeshjeve të Premier League.
Shkak për këtë janë bërë sulmet që Rusia ka filluar prej dy javësh në Ukrainë.
Sipas asaj që thotë shefi ekzekutiv i Premier League, Richard Masters, kjo çështje është duke u shqyrtuar dhe se shumë shpejt do të merret një vendim.
Mediumet britanike “Sky Sports” dhe “Daily Telegraph” raportojnë se avokatëve u është dhënë drita e gjelbër ta fillojnë procesin e mbylljes së marrëveshjes me partnerët rusë dhe se zyrtarizimi mund të bëhet brenda pak ditësh.
Të drejtat e transmetimit të Premier League në Rusi janë në pronësi të kompanisë së quajtur Rambler, ndërsa ndeshjet shikohen në platmormën Okko.Ndërkaq, Match TV, që është në pronësi të gjigantit të energjisë, Gazprom, e ka fituar të drejtën e transmetimit të Premierligës për gjashtë vjet, duke filluar nga sezoni 2022-23.
FIFA së fundmi njoftoi për ndryshimin e rregullores kur bëhet fjalë për futbollistët e huaj që luajnë në Ukrainë dhe në Rusi, duke i anuluar kontratat e tyre deri në fillim të korrikut pa ndonjë ndëshkim.
Ata tash mund të transferohen në ndonjë ekip tjetër evropian deri në fund të qershorit.
