Ndeshja e mbrëmjes së djeshme ishte një spektakël i paparë dhe protagonisti kryesor i saj ishte padyshim bomberi francez, Karim Benzema. Me 3 golat e tij brenda vetëm 6 minutave, ai bëri që Reali të përmbyste disavantazhin 0-2 ndaj PSG-së (kemi parasysh dhe golin në ndeshjen e parë) dhe të bëjë tifozët që kishin mbushur Bernabeun të çmenden nga gëzimi.
Pas ndeshjes, francezi dha një intervistë për “RMC” ku komentoi ndeshjen ndaj parisienëve.
“Nuk ishim mirë në ndeshjen e parë, ndërsa sot ishim tjetër ekip i cili luajti me presion shumë të lartë dhe shtyu shumë përpara. Ne kemi treguar se jemi një skuadër e madhe, ashtu si edhe PSG.
U përballëm me lojtarë të klasit botëror, por ata nuk ishin më të fortë se ne. Mbappe? Ai është i zhgënjyer, donte të shkëlqente në Bernabeu dhe luajti një ndeshje fantastike duke shënuar, por më pas topin e morëm ne dhe e përmbysëm rezultatin.
Faull ndaj Donnarumma? Jo aspak, unë i ushtrova presion dhe ai e humbi topin vet”, ishin fjalët e Benzema-së.
