Një Akt-Normativ me fuqinë e menjëhershme të ligjit i miratuar nga qeveria shqiptare me qëllim përballimin e krizës energjitike dhe rritjen e çmimeve të naftës apo produkteve të tjera, do të përcaktojë që nesër kuadrin e detyrimeve dhe të drejtave të kufizuara të furnizuesve të karburantit. Rama tha se çdo furnizues që do të abuzojë me çmimet, do të ndëshkohet.
Ky informacion u bë i ditur nga vetë kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me furnizuesit e naftës i cili po zhvillohet aktualisht. Kryeministri ka shtuar gjithashtu se akti normativ do të jetë në fuqi për një afat dy mujor, i rinovueshëm sipas dinamikës së luftës.
Sipas Ramës, situata e jashtëzakonshme imponon ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë të qeverisë për ngrirjen e marzheve të fitimit si edhe transparencën e çmimit, prandaj ngrihet menjëherë Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit.
“Ky takim nuk do kishte ndodhur nëse nuk do kishte luftë. Edhe vendi ynë po përballet me pasoja. Është një luftë që nuk e kemi nisur ne dhe as nuk e ndalojmë ne dhe nuk e dimë sa do zgjasë. Lufta ka ardhur në Shqipëri me faturën e çmimit të energjisë dhe të naftës dhe me ndikim në çmimet e tjera. Është fakt ky. Rritja e çmimeve filloi t’i jepte shenjat e para në gjysmën e dytë të viti të shkuar në të gjithë botën.”
