Vllaznia-Tirana
Klasikja e futbollit shqiptar, vijon ende të magjepsë tifozët. Përballja mes 2 skuadrave nuk zhgënjeu as këtë herë teksa në mitikun “Loro Boriçi”, Vllaznia-Tirana dhuruan një 90-minutësh fantastik. Gola, VAR, shtylla, penallti e humbur, praktikisht gjithçka, në fund atë që festojnë sërish janë bardheblutë e Orges Shehit të cilët siguruan një fitore të madhe, një fitore me përmbysje që i afron gjithnjë e më shumë me titullin kampion. Vllaznia zhgënjen sërish duke shuar çdo ëndërr të çdo tifozi shkodran se mund të qëndronin në vallen e titullit.
Vllaznia kaloi e para në avantazh fal një goli të Aralica që në minutën e 6-të, pak suspancë me topin që kaloi vijën fatale. Në të 12-të, Aralica realizoi edhe golin e dytë, por që u anullua nga VAR për pozicion jashtë loje. Në të 32-ën, Gjumshi prek topin me dorë në zonë. Gjyqtari Jorgji me ndihmën e VAR akordon penallti por Liridon Latifi nuk tregohet i saktë duke përplasur topin në shtyllën pingule.
Emocionet nuk përfunduan këtu pasi në minutën e 43-të me një skemë perfekte, Ismajlgeci realizoi një gol shumë të bukur për Tiranën duke barazuar shifrat në 1-1.
Bardheblutë zbresin më të karikuar në pjesën e dytë duke s postuar Vllazninë në gjysmëfushë, në minutën e 70-të me një aksion model, me një kundërsulm të shpejtë, Engjëll Hoti dërgoi topin në rrjetë duke bërë që në “Loro Boriçi” të pllakoste heshtja. Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim në rezultat me Tiranën që merr një trepikësh të artë duke përforcuar edhe më shumë statusin e tyre si favorit absolut për të fituar titullin kampion.
Partizani-Egnatia
4 gola për një pikë, dy të kuq dhe një “dopjetë” e Junior. Partizani e kthen gjithçka në dramë përballë Egnatias. Në fund nuk feston askush, nuk festojnë “demat” e Mehmetit, pavarësisht se një pikë në këto kushte nuk është për tu hedhur poshtë por i shërben pak objektivit të tyre për të siguruar një vend në Evropë edhe nga kampionati, të paktën i afrohet Vllaznisë me katër pikë. Nuk feston as Egnatia për këtë pikë, deri në minutën e ’94-të kishin në “xhep” fitoren por në fund Junior i ngriu buzëqeshjen. Braziliani bën heroin me këtë “dopjetë”.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 24-ët kur rrogozhinasit kaluan të parët në avantazh me Shytin. Ndërkohë, me fillimin e fraksionit të dytë të lojës, Esat Mala gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Junior gjen rrugën e rrjetës në minutën e 51-të por goli i’u anulua për pozicion jashtë loje. 9 minuta më pas festa ishte e plotë teksa arrin ta dërgojë më në fund topin në rrjetë. Gjërat nisën të ndërlikohen për Partizanin pikërisht në momentin e tyre më të mirë teksa Albnion Marku u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 64-ët.
I hedhur në fushë si zëvendësues, Shtubinës i mjaftuan tre minuta lojë për të realizuar golin e dytë për Egnatian, festa ishte e madhe pasi krijojë iluzionin e fitores. Për ta përforcuar edhe më shumë ketë ide mendoi Bitri që në minutën e 91-të la Partizanin me nëntë lojtarë. Atëherë kur gjithçka po shkonte drejt fundit në minutën e 94-ët, Junior me një kundërsulm të shpejtë barazoi shifrat në 2-2.
