Janë zbuluar një sërë detajesh të reja rreth zhvillimit të Asamblesë Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Futbollit ku do të zgjidhet edhe kreu i ardhshëm i saj. Në këtë asamble, e cila do të mbahet në datën 15 mars janë konfirmuar dhe bërë publik edhe emrat e delegacioneve të UEFA-s e FIFA-s si edhe personaliteteve të tjera të futbollit europian, të cilët do të jenë të pranishëm atë ditë në proces.
Nga UEFA të pranishëm në punimet e Asamblesë do të jenë anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Zbigniew Boniek, njëkohësisht edhe një nga Zv.Presidentët e UEFA-s, si edhe dy zyrtarët, Thierry Favre dhe Luca Nicola. Ndërsa FIFA do të jetë e përfaqësuar në Asamble nga dy zyrtarët e lartë, Nodar Akhalkatsi dhe Sofia Malizia.
Nuk do të mungojnë as dy personalitete të rëndësishëm në futbollin ballkanas, si Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini.
