Bota e sportit të wrestling është tronditur nga lajmi se një nga legjendat e tij, Skot Hall, i njohur me emrin e artit Razor Ramon, do të ndahet nga jeta pasi është në gjendje të rënduar shëndetësore. Miku i tij më i ngushtë në ring për shumë vite, Kevin Nesh, ka dhënë lajmin e trishtuar, duke shpjeguar se nuk kishte kthim prapa për Hall.
“Skot është i lidhur me aparatura që e mbajnë në jetë. Sapo të mbërrijë familja e tij, do të ndalin aparaturat. Do të humb të vetmin person në këtë planet me të cilin kam kaluar jetën më shumë se me këdo tjetër. Zemra ime është e thyer dhe jam tmerrësisht shumë i trishtuar. E dua Skot me gjithë zemrën time por tani më duhet të përgatitem për jetën time pa të”, shkruante Kevin Nesh në postimin e tij.
Hall i ishte nënshtruar një operacioni për të vendosur një pllakë metalike në ije, por ndërhyrja solli komplikacione dhe ai pësoi tre herë infarkt. Si pasojë e tyre, iu ndërprenë funksionet jetësore dhe me sa duket familjarët kanë vendosur që të ndalin makineritë që e kanë mbajtur në jetë në orët e fundit në spitalin e Xhorxhias.
Ish-sportisti mori famë në vitet ‘90 dhe në fillimin e viteve 2000 duke përdorur pikërisht nofkën Razor Ramon në dyshe me Kevin Nesh, ndërsa më pas iu bashkua edhe Hulk Hogan duke krijuar New World Order. Ai është pjesëtar i Sallës së Famës të sportit të wrestling.