Një aksion policor i koduar “Ditë Vere” nga Policia e Durrësit ka vënë në pranga 3 persona të cilët u kapën në flagrancë te Shkëmbi i Kavajës teksa do të shisnin 2000 kapsolla elektrodetonatore.
Në prangat e policisë ranë A.Q. 32 vjeç nga Përmeti, Xh.V. 22 vjeç i dënuar më parë dhe 18-vjeçarja L.B. të dy nga Durrësi.
22-vjeçari Xh. V. dhe 18-vjeçarja L. B. po qarkullonin me një automjet tip “Audi”, me të cilin kanë shkuar te Shkëmbi i Kavajës ku i priste 32-vjeçari, i cili kishte ardhur nga Përmeti dhe kishte me vete një çantë krahu dhe një kuti kartoni brenda të cilave kishte pako me 2000 kapsolla elektrodetonatore.
Në momentin e shkëmbimit të kapsollave, këta persona janë kapur në flagrancë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2000 kapsolla elektrodetonatore, një xhaketë dhe një pulovër me simbole të policisë, një kapuç, një thikë, automjeti tip “Audi” dhe 4 aparate celulare.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.
