Pularitë në zonën e Durrësit janë prekur ditët e fundit nga gripi i shpendëve dhe numri i pulave që kanë ngordhur është tepër i lartë. Paraprakisht bëhet me dije se më shumë se 400 mijë pula kanë ngordhur, por nuk është e qartë se cili variant i virusit ka rënë.
Nga institucionet shtetërore deri tani nuk ka asnjë reagim për këtë situatë, ndaj dhe shkaku i ngordhjes së këtyre shpendëve nuk është përcaktuar plotësisht. Sipas pronarëve të këtyre bizneseve, virusi prek rrugët e frymëmarrjes dhe shkakton ngordhjen e pulave.
Vetëm në njërën nga pularitë e qytetit të Durrësit janë groposur 175.300 pula, sipas AKU. Pak ditë më parë Drejtori i Parkut Kombëtar të Karavastasë, Ardian Koçi tha se gripi i shpendëve shkaktoi ngordhjen e 60% të pelikanëve kaçurrel në liqenin e Prespës, duke paralajmëruar se virusi rrezikon të përhapet në të gjithë Shqipërinë.
