Nga Mathieu Aref
Një përballje natyrale lind ndaj disa “historianëve” (me një “h” të vogël sepse e kam të vështirë t’i quaj ata historianë) dhe disa gjuhëtarëve në Perëndim dhe gjetkë, të cilët kanë gabuar shumë rëndë nga anët historike dhe gjuhësore që nga fundi i shekullit XIX.
Çudia është se shumë shqiptarë historianë, arkeologë etj. janë bazuar mbi këta “autorë” në mënyrë të verbër dhe veçanërisht Akademia e Shkencave e Tiranës. Të besosh se këta vetëm autorë kishin apo kanë të drejtë si edhe monopolin e së vërtetës absolute tregon se këta “dijetarë” shqiptarë nuk janë në gjendje të punojnë vetë në këtë fushë të historisë të lashtësisë pa ndihmën e jashtme.
A nuk kuptojnë apo nuk kanë vullnet të mendojnë thellë kur lexojnë? Kjo mund të tingëllojë si një devijim i rëndë i pakuptueshëm. Historianët shqiptarë të kohës enveriste dhe disa të sotëm u bazuan në disa autorë të huaj që nuk e zotëronin çështjen pellazge apo e kishin injoruar. Gjithashtu, ata janë bazuar në disa autorë të lashtësisë së hershme dhe të vonshme që ishin të njëanshëm apo nuk zotëronin çështjen pellazge. Tani po kthehem prapë te këta autorë modernë, të cilët i kritikoj ashpër në librat e mi dhe gjithë shkrimet e mia.
Në të vërtetë, këta autorë nuk e përfytyruan përvetësimin nga helenët të civilizimit të para ardhësve të tyre, domethënë atë të pellazgëve autoktonë, “të lindur nga toka” si “Pélasgos”. Ata as nuk i ndjejnë me saktësi manipulimet e kryera në panteonin e Olimpit, ku emri i Zeusit, i cili nuk ishte grek u përdor për të bërë që Helenët të zbresin nga perëndia Zeus kryezoti. Prandaj edhe panteoni i Olimpit e bë lëmsh ku ishin përzier perëndi, perëndesha, heronj ose heroina dhe që në fund u bënë “helene” dhe gjithë bota i besoi ashtu.
Ata as nuk e perceptuan pse kishte katër shekuj, epokat të errëta, në të cilët asgjë “helene” nuk qe shfaqur. Ata nuk u përgjigjën se as helenët, ilirët dhe dorianët nuk u përmenden në “Iliadë” dhe tek “Odiseja”; ndodhi ashtu sepse qenë emra të vonshëm. Ata bëjnë zë që në “Iliadë” kanë mbijetuar pasazhe të ndryshme komprometuese për grekët, ngase u kanë shpëtuar censurës dhe shkathtësisë së logografeve të parë grekë. Në “Iliadë” ishte i tillë rasti i pellazgëve hyjnorë, i Zeusit pellazg dhe Dodonës si kryeqendër fetare-kulturale e pellazgëve, i ekzistencës së një gjuhe të Perëndive (ajo e pellazgëve) dhe e një gjuhe të “njerëzve” (ajo e helenëve).
