Kryeministri britanik Boris Johnson, duke folur në konferencën e Konservatorëve Skocezë në Aberdeen këtë të premte, tha se është “më i bindur se kurrë” se Vladimir Putin do të dështojë në Ukrainë.
“Ai do të dështojë! Sepse në sipërmarrjen e tij katastrofike në Ukrainë ai nënvlerësoi fatalisht heroizmin dhe vendosmërinë e ukrainasve për të luftuar. Ai e nënvlerësoi unitetin perëndimor. Dhe ndër të tjera, meqë ra fjala, ai nënvlerësoi angazhimin pasionant të njerëzve në këtë vend për të ndihmuar”, tha Johnson.
Kryeministri britanik shtoi se më shumë armë mbrojtëse do të sigurohen për të ndihmuar Ukrainën kundër “bombardimeve të pamëshirshme”.
Teksa kryeministri aktual i Britanisë është përqendruar në mbështetjen ndaj Ukrainës, një nga paraardhësit e tij është angazhuar në terren në dhënien e ndihmave humanitare ndaj ukrainasve.
Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, ka udhëtuar me një kamion me furnizime ndihma për refugjatët ukrainas në Poloni, për t’i dorëzuar ato në Kryqin e Kuq.
Ai tha se në dy javët e fundit ata kishin lëshuar një apel për furnizime që mund t’u nevojiteshin refugjatëve ukrainas ndërsa mbërrinin në Poloni dhe ata kishin marrë një numër të madh donacionesh, “me gjithçka, nga pelenat te produktet sanitare, rrobat e deri tek kompletet e ndihmës së parë”,-deklaroi Cameron.
