Rehabilitimi i konvikteve për shkollat e mesme të gjithë Bashkisë Mat ka hyrë në fazën përfundimtare dhe brenda pak muajsh mbyllet tërësisht.
Bashkia Mat në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit po punon për transformimin total të ambienteve me qëllim krijimin e kushteve sa më të mira për përgatitjen e brezit të ardhshëm.
Teksa inspektoi punimet të cilat po ecin me ritëm të lartë, Kryetari i Bashkisë Agron Malaj tha se objekti do të jetë gati brenda tre muajve.
“Ne mbyllëm vitin që shkoi fazën e parë, tashmë kemi filluar fazën e dytë që do të jetë përfundimi total i gjithë konviktit të Burrelit. Përfshin rikosntruksionin e konviktit, pjesën e pajisjeve të sistemit ngrohës, të ndriçimit dhe gjithë pjesës së brendshme të objektit. Aktualisht kemi një pjesë të nxënësve që frekuentojnë këto mjedise dhe në përfundim do të bëhet dhe shtimi i numrit të atyre që do të kenë mundësi të kenë kushte sa më të mira dhe komode. Është një investim me fonde të Ministrisë së Arsimit me Bashkinë e Matit. Brenda 3 muajve do të përfundojë dhe gjithë kjo ndërtesë e cila do të ofrojë kushte dhe parametra sikurse meritojnë të gjithë nxënësit e Bashkisë së Matit”, tha Kryebashkiaku Agron Malaj.
