Anëtarja e Kryesisë së PD Jonila Godole, e sheh dorëheqjen e Lulzim Bashës si një shans që të partia shkëputet përfundimisht nga e shkuara. Ajo ka bërë një status në rrjete sociale në kuadër të 22 marsit, teksa ka thënë se tashmë PD ka dy rrugë: Ose të mbyllë ciklin e saj, ose të hapë një kapitull të ri.
“30 vjet rrugëtim i PD me suksese dhe dështime, me shpresë dhe zhgënjime, me bashkime dhe përçarje – simbolikisht i tillë është edhe rrugëtimi i gjithë tranzicionit shqiptar. As më shumë dhe as më pak. Sot më 22 mars ka dy mënyra si mund ta shohim PD: 1) t’i shkruajmë epitafin: U prehtë në paqe – e mbylli misionin e vet historik; ose 2) sot ka shansin të shkëputet përfundimisht nga kulti i individit dhe të futet në kursin e duhur demokratik me dyer të hapura për këdo që ndan një vizion euro-atlantik në të mirë të zhvillimit të vendit; e hapur ndaj konkurrencës dhe ideve në parti dhe largpamëse në projektin për të zgjuar shpresat e shqiptarëve si 30 vjet më parë”, tha Godole. Deklarata e saj vjen në një kohë kur flitet se Berisha mund të tentojë të marrë kreun e partisë.
Sipas saj, PD duhet të ndjekë rrugën e dytë. Më tej ajo ka uruar Enkelejd Alibejan për marrjen e frenave të partisë. “Unë shpresoj për këtë rrugën e dytë. E lehtë nuk do jetë. Koha do ta tregojë ndikimin e aktit të 9 shtatorit dhe të 21 marsit për demokracinë dhe kulturën politike shqiptare. Deri atëherë, urime Enkelejd Alibeaj për marrjen e timonit në këtë situatë të vështirë. Kryesimi i PD më në fund nga një përfaqësues i të përndjekurve politikë është një ogur i mirë për kursin e PD në të ardhmen”, shkruan Godole.
