Prej 28 ditësh, ushtria dhe qytetarët e Ukrainës po përballen me sulme të vazhdueshme, qoftë nga toka, qoftë nga ajri nga ushtria e Rusisë. Si pasojë e kësaj lufte, ka pasur qindra viktima, miliona njerëz të larguar nga Ukraina dhe miliona të tjerë që kanë ngelur të bllokuar e ndërkohë sulmohen vazhdimisht nga raketat ruse.
Zëvendësministri i Punëve Sociale dhe Teknologjisë së Ukrainës, Koshelenko tha për RTSH-në se situata në Ukrainë është shumë e rëndë, pasi tashmë Rusia vazhdon të sulmojë instruktuarën civile, duke lënë shumë viktima.
“Njerëzit duhet të fshihen në bunker për shkak të sulmeve nga ajri. Rusët kanë sulmuar edhe shtëpi, spitale dhe dyqane të mëdha si qendra tregtare. Ka shumë radhë njerëzish dhe na nevojitet më shumë ndihma humanitare për t’i shpërndarë tek njerëzit tanë.”, -tha ndër të tjera ai.
Zv.ministri ukrainas u shpreh se duhen më shumë ndihma ushtarake, siç janë municione dhe kundërajrorë nga shtetet perëndimore, për të luftuar me ushtrinë ruse. Po ashtu, ai deklaroi se duhet të mbyllet hapësira ajrore e Ukrainës, për të ndaluar bombardimet nga ushtria ruse.
“Rusët po sulmojnë pa pushim qytetet, shtëpitë, maternitetet dhe ndërtesat civile. Na duhen municione, kundërajrorë. Kjo është ajo që na duhen më shumë. Duhet të mbyllim hapësirat ajrore të qyteteve tona. Ky është problemi jonë.”, u shpreh ai.
Megjithatë, Koshelenko shprehet entuziast kur thotë se Ukraina do ta fitojë këtë luftë pasi po luftojnë për tokën e tyre.
“Ne jemi në vendin tonë dhe ne do ta fitojmë këtë luftë. Trupat ruse nuk kanë suksese kur sulmojnë trupat tona, dhe për këtë sulmojnë infrastrukturën civile.”, tha ai.
Koshelenko thotë se bashkë me familjen e tij prej kur kanë nisur luftimet ndodhen në Kiev, duke shtuar se pranë shtëpisë së tyre kanë një bunker dhe kur bien sirenat e alarmit strehohen aty.
“Gruaja, djali dhe vajza ime, ndodhen në Kiev. Ne kemi një bunker pranë shtëpisë sonë dhe kur dëgjojmë sirenat, shkojmë drejt tyre dhe e kalojmë natën aty.”, -përfundoi Koshelenko.
