Një tjetër i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda për “Masakrën e Qafë-Gjashtës” bën kërkesën për liri nga arratia, pas Alqi Pagunit. Ai është Aleksandër Bala alias Aleko Bala, i moshës 52 vjeç, i cili edhe pse është dënuar nga gjykata me 15 vjet burg ka bërë një kërkesë në Gjykatën e Sarandës, për “parashkrim të ekzekutimit të vendimit”, ose e thënë ndryshe, shuarje apo heqje të dënimit me burgim.
Kjo çështje është lënë të shqyrtohet ditën e nesërme, e enjte, datë 24 mars, në orën 11:30 nga gjyqtari Alban Veçani. Kujtojmë se Aleksandër Bala, i njohur si Aleko apo Leko, i cili figuron si pronar i një parkingu privat në Sarandë, u shpall në kërkim nga policia në nëntor të 2017, pas një operacioni të madh të policisë për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit për autorët e “Maskrës së Qafë-Gjashtës”.
Ata akuzoheshin se më 4 mars 1997 vranë dhe dogjën oficerin e policisë Gjergj Mehmeti, mbajtën peng dhe torturuan oficerin Edukard Aliaj dhe tentuan të vrisnin oficerët Sokol Bizhga e Myzafer Blushi.
Për ngjarjen në fjalë janë arrestuar Vladimir e Nestor Sinani, Alqi Paguni, Eduart Cipa dhe Edmond Sejko, si dhe u shpallën në kërkim shumë të tjerë. Nga të gjithë të akuzuarit vetëm vëllezërit Sinani kryen dënimin dhe kanë dalë nga burgu, pasi Cipa u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit, ndërsa Sejko u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje.

Në muajin tetor 2011, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda dha këto dënime përfundimtare për të akuzuarit:
Vladimir Sinani 18 vjet burg
(Tashme e ka kryer denimin)
Nestor Sinani 15 vjet burg
(Tashme e ka kryer denimin)
Aleksander Bala 15 vjet burg
(Ne kerkim)
Alqi Paguni 15 vjet burg
(Ne kerkim)
Edmond Sejko
6 vjet burg
(Tashme e ka kryer denimin)
Mikel alias Flamur alias Vladimir Kendezi 15 vjet burg
(Ne kerkim)
Arben Kendezi 16 vjet burg
(Ne kerkim)
Agron Qurku 16 vjet burg
(Ne kerkim)
Të njëjtën kërkesë si Aleksandër Bala në muajin shkurt e ka bërë në Gjykatën e Sarandës edhe 51-vjeçari Alqi Paguni. Vlen të theksohet që të gjithë personat në kërkim janë arrestuar në kohë të ndryshme nga policia greke, por gjykatat e këtij shteti nuk kanë pranuar t’i ekstradojnë. Mes të kërkuarve që nuk është ekstraduar është edhe Agron Qurku, i cili veç masakrës së Qafë-Gjashtës është dënuar edhe për vjedhje bankash, plagosje, rrëmbim etj.
