Sipas asaj që njofton “BBC”, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të nënshkruajnë një marrëveshje së bashku për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm (LNG), me qëllim që të zëvendësohen importet ruse.
SHBA-ja ka vendosur të sigurojë të paktën 15 miliardë metra kub LNG deri në fund të vitit. Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, shtetet europiane po përpiqen që ta reduktojnë varësinë e tyre nga karburantet fosile ruse.
Ndërkohë, BE-ja është zotuar të reduktojë përdorimin e gazit rus me dy të tretat gjatë këtij viti nëpërmjet importeve nga vendet e tjera dhe rritjes të energjisë së rinovueshme. Kryeministri belg Alexander de Croo përshëndeti marrëveshjen duke thënë se do të ndihmonte në uljen e çmimeve të gazit në Europë.
